Secondary Adv

Veteprodhuesit e energjise, ne 2023 moren statusin 723 kliente, dominon biznesi

Vetëprodhimi i energjisë si një formë për të ulur kostot duket se ka nxitur edhe gjatë 2023 një sërë kategorish që të janë aktive me projekte të instalimit të impianteve fotovoltaikë.

 

Të dhënat zyrtare të raportuara nga ERE tregojnë se ishin të paktën 723 klientë që morën statusin e vetëprodhuesit gjatë vitit të shkuar ku shumica ishin biznese.

 

“Gjatë vitit 2023, Operatori i Sistemit të Shpërndarjes (OSSH sh.a) i ka dhënë statusin e Vetëprodhuesit 723 klientëve me një kapacitet total prej rreth 60,56 MWp duke treguar prirjen pozitive të konsumatorëve shqiptarë për të kontribuar në krijimin e një sistemi energjetik të qëndrueshëm dhe të pavarur “thuhet në raport.

 

I njëjti vlerëson se pesha specifike e kategorisë së kontratave të cilat kanë të instaluar në rrjetin e shpërndarjes panele fotovoltaike, duke marrë statusin e vetëprodhuesve sipas kategorisë së konsumatorit dhe fuqisë është:

 

27 buxhetorë me fuqi të instaluar 790 kWp, familjarë, 430 me fuqi 5375 kWp, jo-buxhetor me fuqi 756 kWp dhe privat 1069 me fuqi 146,585 kWp.

 

Sipas Entit këto zhvillime pozitive inkurajojnë një tranzicion më të shpejtë drejt një mjedisi energjetik më të qëndrueshëm dhe të efektshëm në vend.

 

Tendenca për të instaluar impiante për vetëprodhim të cilat sipas ligjit nuk mund të jenë me kapacitet më mbi 500 kWp nisi të theksohej gjatë fazës së parë të liberalizimit kur dolën bizneset e para në treg të cilat për të paktën dy vite u mbajtën nga OSHEE përmes Furnizuesit të Mundësisë së Fundit.

 

Kjo korrespondon me vitin 2019 kur u miratua edhe një udhëzim specifik që lehtësonte kushtet për këtë kategori. Ndërkohë që gjatë pandemisë ritmi ra për tu rikthyer dukshëm sidomos me shfaqjen ne krizës së energjisë në pjesën e dytë të vitit.

 

Një nxitje të madhe sidomos për instalimin e impianteve për vetëprodhim u nënvizua se do të jepte ligji i ri për burimet e rinovueshme i miratuar vitin e shkuar por ende këtij ligji i mungojnë disa akte nënligjore që ta bëjnë përfitimin të plotë dhe të zbatueshëm.

 

Gjithsesi një nga kërkesat e vetëprodhuesve që ishte që bilanci të ishte vjetor për të përfituar nga investimi që kryenin një kërkesë që është plotësuar përmes aplikimit të matjes neto vjetore.

 

Burimi; Monitor https://www.monitor.al/veteprodhuesit-e-energjise-ne-2023-moren-statusin-723-kliente-dominon-biznesi/


Më të lexuarat